Secondary Adv

Nga 1 janari dividendi tatohet 15 për qind pavarësisht vitit, Binaj: Rritet barazia fiskale

Ministria e Financave sqaron se çdo dividend i shpërndarë nga 1 janari 2027 do të tatohet me 15 për qind.

Bizneset që vendosin të shpërndajnë dividendë nga 1 janari 2027 do të paguajnë tatimin e ri prej 15%, nga 8% që është aktualisht, pavarësisht vitit kur janë realizuar fitimet. Ndryshimi parashikohet në Paketën Fiskale 2027 dhe do të zbatohet edhe për fitimet e akumuluara gjatë viteve të mëparshme, nëse vendimi për shpërndarjen e tyre merret pas hyrjes në fuqi të normës së re.


Ministria e Financave sqaroi për “Monitor” se tatimi prej 15% do të aplikohet për çdo dividend që shpërndahet nga një kompani duke nisur nga 1 janari 2027, pavarësisht nëse fitimi është realizuar gjatë vitit 2026, 2025 apo më herët. Kjo do të thotë se, nëse asambleja e ortakëve ose aksionerëve vendos shpërndarjen e dividendit pas kësaj date, do të zbatohet norma e re edhe për fitimet e pashpërndara të viteve të kaluara.


Rritja e tatimit pritet të nxisë bizneset të marrin vendime për shpërndarjen e dividendëve përpara përfundimit të vitit 2026, në mënyrë që të përfitojnë nga norma aktuale prej 8%. Megjithatë, shpërndarja e fitimeve duhet të respektojë kushtet ligjore që lidhen me aftësinë paguese dhe likuiditetin e shoqërive tregtare.


Shpërndarja e dividendëve para fundit të vitit, Tatimet sqarojnë kushtet

Ilir Binaj, drejtori në detyrë i Tatimeve, deklaroi për “Monitor” se bizneset kanë të drejtë të vendosin shpërndarjen e dividendëve përpara përfundimit të vitit, por duhet të përmbushin detyrimet që përcakton legjislacioni për shoqëritë tregtare.


Sipas nenit 77 të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, administratorët duhet të lëshojnë një certifikatë që garanton se, edhe pas shpërndarjes së fitimeve, aktivet e kompanisë mbulojnë detyrimet e saj dhe shoqëria ka likuiditet të mjaftueshëm për të shlyer pagesat që bëhen të kërkueshme gjatë 12 muajve në vijim.


Kjo kërkesë synon të garantojë që shpërndarja e dividendëve të mos cenojë aftësinë e kompanisë për të përmbushur detyrimet financiare ndaj kreditorëve dhe palëve të tjera.


Binaj: Rritja e tatimit mbi dividendin synon barazinë fiskale mes bizneseve

Drejtori në detyrë i Tatimeve, Ilir Binaj, argumenton se rritja e normës së tatimit mbi dividendin lidhet me nevojën për të vendosur një trajtim më të barabartë fiskal ndërmjet personave fizikë dhe shoqërive tregtare me përgjegjësi të kufizuar.


“Nuk mundet që personi fizik që merr përgjegjësi me pronë personale ndaj të tretëve, të paguajë më shumë se ortaku/aksioneri me përgjegjësi të kufizuar”, u shpreh Binaj për “Monitor”.


Sipas tij, personi fizik, i cili mban përgjegjësi personale për rreziqet e aktivitetit, paguan një normë maksimale tatimore prej 23%. Ndërkohë, për personat juridikë, barra e kombinuar aktuale mbi fitimin e shpërndarë arrin në 21,8%, e llogaritur nga tatimi mbi fitimin prej 15% dhe tatimi mbi dividendin prej 8% mbi fitimin e mbetur pas tatimit.


Me rritjen e propozuar të tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, barra e kombinuar për personat juridikë do të arrijë në 27,75%, ose rreth 27,8%, sipas përllogaritjes së paraqitur nga Binaj. Kjo normë do të jetë 4,8 pikë përqindjeje më e lartë se norma maksimale prej 23% për personat fizikë.

Binaj argumenton se nuk kishte kuptim që një shoqëri tregtare të paguante më pak tatim mbi fitimin e shpërndarë sesa një individ që ushtron aktivitet si person fizik, duke marrë parasysh ndryshimin në përgjegjësinë ndaj detyrimeve të biznesit.


“Kjo është një rivendosje se ku duhet të jetë nivelet, sesa një rënie në qafë kompanive me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqërive anonime”, deklaroi ai.


Tatimi mbi dividendin rikthehet në 15 për qind pas tetë vitesh

Rritja e propozuar në Paketën Fiskale 2027 vjen tetë vite pas uljes së tatimit mbi dividendin nga 15% në 8%, ndryshim që hyri në fuqi në janar të vitit 2019.


Në atë kohë, ulja e normës u argumentua me nevojën për të lehtësuar barrën fiskale mbi fitimet e shpërndara dhe për të nxitur kompanitë të shpërndanin dividendët e akumuluar gjatë viteve të mëparshme.


Norma prej 8% u zbatua edhe për fitimet e pashpërndara të viteve të kaluara, duke u mundësuar kompanive të shpërndanin kapitalin e akumuluar me një barrë tatimore më të ulët.


Një nga përfituesit më të mëdhenj të ndryshimit ishte “Telekom Albania”, ish-AMC, e cila vendosi të shpërndante 50 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë euro, dividend nga fitimet e akumuluara gjatë periudhës 2001–2010.


Siç raportonte në atë kohë “Monitor”, kompania përfitoi nga norma e reduktuar prej 8%, duke paguar 4 miliardë lekë tatim, në vend të 7,5 miliardë lekëve që do të paguante me normën 15%. Diferenca prej 3,5 miliardë lekësh, ose rreth 28 milionë euro, përfaqësonte përfitimin fiskal nga ulja e tatimit.


Huatë dhe paradhëniet për ortakët mund të tatohen si dividendë

Paketa Fiskale 2027 parashikon edhe ndryshime ligjore që synojnë të kufizojnë mundësitë e shmangies së tatimit të rritur mbi dividendin përmes formave të tjera të transferimit të fitimeve te ortakët dhe aksionerët.


Sipas projektligjit, si dividendë do të trajtohen edhe shumat që kompanitë u japin ortakëve ose aksionerëve në formën e huave, paradhënieve apo financimeve të tjera, në rastet kur këto nuk përfaqësojnë transaksione financiare reale, por në thelb përbëjnë shpërndarje të tërthorta të fitimit.


Relacioni që shoqëron projektligjin sqaron se ndryshimi synon të kufizojë shmangien e tatimit mbi dividendin pas rritjes së normës, duke garantuar që shpërndarjet e fitimit të trajtohen sipas përmbajtjes së tyre ekonomike, pavarësisht formës juridike të përdorur.


Kjo do të thotë se administrata tatimore do të duhet të vlerësojë natyrën reale të transaksioneve financiare ndërmjet kompanive dhe ortakëve të tyre, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për hua të mirëfillta apo për shpërndarje të maskuara të fitimit.


Ekspertët kërkojnë kritere të qarta për tatimin e huave si dividendë

Ndryshimet e propozuara kanë ngritur pikëpyetje mes ekspertëve fiskalë, veçanërisht për mënyrën se si do të përcaktohet në praktikë nëse një hua ndaj ortakut përbën transaksion financiar real apo shpërndarje të tërthortë të dividendit.


Sajmir Laçej, një nga themeluesit e “ASL Tax & Legal Advisors” dhe ish-drejtor i politikave të taksave në Ministrinë e Financave, shpreh rezerva për formulimin aktual të projektligjit.


“A nuk duhet që projektligji të përcaktojë një mekanizëm të qartë, me kritere objektive dhe afate konkrete, se kur një hua ndaj ortakut konsiderohet shpërndarje e tërthortë fitimi dhe tatohet si dividend me 15%?”, shprehet ai.


Sipas Laçejt, është e nevojshme të bëhet një dallim i qartë ndërmjet huave reale, të cilat kanë afate kthimi dhe interesa të përcaktuara sipas kushteve të tregut, dhe transaksioneve që përdoren për të shmangur tatimin mbi dividendin.


Eksperti thekson se huatë ndërmjet palëve të lidhura duhet të kenë afate të përcaktuara për shlyerjen dhe interesa të llogaritura sipas normave referuese të tregut, të njohura si benchmarks.


“Nëse janë hua reale duhet të kenë afat kthimi dhe të aplikohet interes i llogaritur sipas Benchmarks për transaksionet midis palëve të lidhura. Vetëm nëse ortaku nuk e paguan huanë dhe interesat brenda një afati të arsyeshëm mund të konsiderohet si divident dhe të tatohet me 15%”, shton ai.


Ndërsa Ministria e Financave synon të kufizojë shmangien e tatimit përmes transaksioneve që fshehin shpërndarjen e fitimit, ekspertët kërkojnë që dispozitat e reja të shoqërohen me kritere objektive dhe afate konkrete, për të shmangur paqartësitë gjatë zbatimit.


Ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale 2027 pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimmarrjen e kompanive për shpërndarjen e fitimeve, veçanërisht për dividendët e akumuluar gjatë viteve të mëparshme. Nëse miratohen sipas formulimit aktual, nga 1 janari 2027 norma prej 15% do të zbatohet për dividendët e shpërndarë pas kësaj date, pavarësisht periudhës së realizimit të fitimit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat